Themelohet dega e Partisë Guxo në Viti

Alt text
Partia Guxo shënoi sot edhe një hap të rëndësishëm në konsolidim e strukturës së saj dhe shtrirjen e pranisë dhe aktivitetit në të gjithë territorin e vendit. 
Së bashku me bashkëkryetarin, Faton Peci, kryetarin e Forumit Rinor, Lendrit Iljazi dhe veprimtarë dhe mbështetës të shumtë të Partisë Guxo, sot morëm pjesë në Kuvendin Zgjedhor të Degës në Viti.
Mbështetja për qeverisjen e mirë në nivel qendror, sukseset e prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe nepotizmit, zhvillimi i dukshëm ekonomik në të gjithë vendin, përkushtimi për vendosjen e standarteve dhe kritereve të larta në trajtimin e kërkesave dhe nevojave të qytetarëve në komunën e Vitisë, kishin mbledhur sot qytetarë të shumtë, profesionistë të rinj e aktivistë të vjetër,  burra gra e të rinj në Kuvendin Themelues të kësaj dege, nga delegatët e të cilit u zgjodh kryetari  Emrush Azemi, një figurë shumë e njohur dhe e respektuar në këtë komunë si dhe kryesia, dy nënkryetaret dhe sekretari i kësaj dege.
Me praninë e saj, këtë kuvend e nderoi edhe deputetja vitiase, Mirlinda Tishukaj Sadiku nga Lëvizja Vetvendosje duke demonstruar se partneriteti dhe bashkëpunimi parimor mes dy subjekteve tona shkon përtej qeverisë dhe institucioneve qendrore. 
Para delegatëve theksova se besimin plebishitar të qytetarëve tanë po e kthejmë në angazhim të pandalshëm në zhvillim të vendit, sundim të ligjit, luftë kundër korrupsionit dhe nepotizmit, fuqizimin e sovranitetit të shtetit dhe subjektivitetit ndërkombëtar.
Partia Guxo po shtrihet dhe rritet çdo ditë dhe në secilën komunë, me përfshirje të qytetarëve që e përkrahin ndryshimin pozitiv, qeverisjen e mirë dhe transparente, e cila në fokus ka progresin në zhvillimin e demokracisë dhe shtetit në përgjithësi.


Bashkëkryetarja Donika Gërvalla

Shpërndaje në: