Lavdi përjetë martirëve të lirisë në Izbicë dhe Podujevë

Alt text
Më 28 mars 1999, Kosova u përball me dy nga masakrat më brutale të gjenocidit të orkestruara nga shteti serb, Masakra e Izbicës dhe Masakra e Podujevës.
Këto krime nuk ishin vetëm akte spontane të dhunës, por pjesë e një strategjie të mirëmenduar të shfarosjes së popullsisë shqiptare, të cilën regjimi serb e ekzekutoi me precizion kriminal. Në fshatin Izbicë, 147 burra dhe djem të rinj u grumbulluan me dhunë nga forcat serbe dhe u pushkatuan në grupe. Më pas, për të fshirë çdo gjurmë, trupat e pajetë u zhvendosën në varreza masive në Beograd, brenda Serbisë. Pamjet ajrore të masakrës, të regjistruara nga NATO, shërbyen si një nga dëshmitë më të forta të vrasjeve sistematike nga Serbia dhe në dokumentimin e gjenocidit në Kosovë.
Në të njëjtën ditë, në Podujevë, një tjetër akt monstruoz tronditi botën. Grupi paramilitar famëkeq me emrin "Skorpionët", i njohur për mizoritë e kryera edhe në Bosnje, në bashkëpunim edhe me Njësinë speciale anti-terroriste në Serbi, gjatë luftës në Kosovë, ekzekutoi 14 gra dhe fëmijë nga familja Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, më i vogli prej të cilëve ishte vetëm 2 vjeç, duke u qëlluar me plumba në kokë dhe trup. Pesë prej tyre mbijetuan, të plagosur rëndë mes trupave të pajetë të familjarëve të tyre. Një prej të mbijetuarëve ishte Saranda Bogujevci, vetëm 13 vjeçe, e mbetur e vetme në mesin e një tragjedie që as që mund të përfytyrohej, u bë luftëtarja më e zëshme për drejtësi. Ajo sfidoi gjithçka, arriti të nxjerrë në dritë krimin më monstruoz dhe bëri atë që duhej bërë, e solli Serbinë përpara gjykatës për krimet e saj, duke i thënë botës një të vërtetë që nuk mund të injorohet. Saranda mbetet prova e gjallë e një gjenocidi që Serbia vazhdon ta mohojë. Sot, Saranda Bogujevci është nënkryetare e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe zë i fuqishëm për të drejtat e viktimave të gjenocidit në botë. Përpjekjet për të mohuar këto krime, për të glorifikuar ekzekutorët dhe për të refuzuar drejtësinë nuk janë vetëm fyerje për viktimat dhe familjet e tyre, por edhe kërcënim i hapur për stabilitetin rajonal dhe për parimet e drejtësisë ndërkombëtare. Bota nuk duhet të harrojë. Masakrat e Izbicës dhe Podujevës janë dëshmi se regjimi i Beogradit nuk synonte vetëm spastrimin etnik të shqiptarëve, por eliminimin e plotë si komb. Sot, përballë përpjekjeve për të rishkruar historinë, e vërteta duhet të dëgjohet më fort se kurrë.
Lavdi përjetë martirëve të lirisë në Izbicë dhe Podujevë.

Donika Gërvalla

Shpërndaje në: