Mëngjesi i 25 marsit 1999...

Alt text
Mëngjesi i 25 marsit 1999 nuk solli diell në Krushën e Rahovecit. Nuk solli as shpresë. Ishte vetëm një ditë pasi NATO kishte nisur bombardimet kundër caqeve ushtarake serbe.
Kolonat e blinduara serbe u shfaqën si përbindësha në hyrje të Krushës së Vogël. Brenda pak çastesh, qetësia u shndërrua në britma dhe plumba. 113 veta u ekzekutuan në vend. Disa u vranë me armë, të tjerët u dogjën të gjallë brenda shtëpive të tyre. Skenari i tmerrit u përsërit çaste më pas në Krushë të Madhe. Rrugët u mbushën me ushtarë të maskuar dhe të armatosur rëndë. Derë më derë, ata i nxorën burrat dhe djemtë jashtë. 241 veta u mbyllën në ndërtesën e Kooperativës Bujqësore. Askush nuk e dinte çfarë po ndodhte derisa u dëgjua breshëria e parë e kallashnikovit. Pastaj një tjetër. Brenda pak minutash, çdo njeri aty brenda u vra. Ata dogjën trupat, për t’i zhdukur gjurmët e krimit. 
893 shtëpi u shkrumbuan, çdo copëz kujtese, çdo fotografi e fëmijërisë, çdo libër e çdo ëndërr u zhduk mes flakëve e dhimbjes. Serbia gjenocidale vrau pa fije mëshire, me një brutalitet që tejkalon çdo imagjinatë njerëzore, duke lënë pas vetëm tym, hi dhe gjakun e derdhur të një populli që kërkonte lirinë. Por Krusha nuk u shua. Nga hiri i saj dolën gra që nuk u dorëzuan, djem që u rritën për të mbajtur gjallë kujtimin e atyre që nuk patën fatin të jetojnë. Lavdi martirëve të Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël që dhanë jetën për lirinë e Kosovës!

Donika Gërvalla

Shpërndaje në: