Filharmonia e Kosovës, në një mbrëmje madhështore në Bern

Alt text
Filharmonia e Kosovës, në një mbrëmje madhështore në Bern, na dhuroi një interpretim të jashtëzakonshëm nën dirigjimin e Maestros Antoine Marguier.
Ekzekutimi virtuoz i solistëve të shquar, sopranos Besa Llugiqi dhe saksofonistit Vitaly Vatula, solli një dimension të ri artistik, duke theksuar universalitetin e muzikës si mjet komunikimi mes kulturave. Prezenca e përfaqësuesve të strukturave të ndryshme politike dhe shoqërore si dhe e korit diplomatik në Bern dhe personaliteteve të tjera nga bota kulturore dhe diplomatike i dha ngjarjes një peshë të veçantë, duke dëshmuar fuqinë e artit për të ndërtuar ura të reja të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.
Një aktivitet i tillë kërkon jo vetëm përkushtim artistik, por edhe vizion institucional. Misioni diplomatik i Republikës së Kosovës në Zvicër, i udhëhequr nga Ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë, Mentor Latifi, bashkë me Konsullatat tona në Cyrih e Gjenevë, ka krijuar një platformë të re për prezantimin e kulturës sonë në një kontekst ndërkombëtar, duke e integruar Kosovën në hartën e diplomacisë kulturore me një qasje me të vërtetë dinjitoze dhe afatgjatë. Të tilla ngjarje jo vetëm që pasurojnë jetën kulturore të diasporës sonë, por edhe dëshmojnë për rolin e kulturës si një element kyç në afirmimin ndërkombëtar të Kosovës.

Donika Gërvalla

Shpërndaje në: