Urime Dita e Flamurit!

Alt text
Sot, gjithkund kah flitet shqip po kremtojmë ditën kur krerët shqiptarë nën udhëheqjen e Ismail Qemalit vendosën për “Shqipërinë e lirë, në vete dhe të mosvarme”.
Sot festuam së bashku në vendlindjen, në kullën e Gjeneralit të Pavarësisë, Isa Boletinit. Kjo e kremte vjen e bëhet edhe më e rëndësishme dhe më madhështore, kur kujtojmë rrugën, përpjekjen, luftën e sakrificën tonë që kjo ditë të shënohet jo vetëm në të gjitha qytetet shqiptare, jo vetëm aty ku Boletini garantoi lindjen e Shqipërisë së pavarur, por më në fund edhe aty ku kreshniku Isë Boletini pa dritën për së pari herë, në këtë pjesë të bukur e madhështore të gjeografisë shqiptare. 
Sot kujtojmë jo vetëm madhështinë e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe plagët e dhembjen e cungimit të trojeve që kishin mbetur jashtë kufijve të pranuar në Konferencën e Londrës. Këtë plagë e këtë dhembje e kishin marrë në varr shumë nga baballarët e pavarësisë, edhe Isa Boletini. 
Sot festuam aty ku prehet Gjenerali i Pavarësisë, Isa Boletini duke kujtuar rrugën e tij, rrugën tonë, që nuk ishte e lehtë, por që ia vlejti çdo pikë gjaku e çdo pikë djerse!

Urime Dita e Flamurit!


Donika Gërvalla





Shpërndaje në: