Donika Gërvalla-Schwarz u lind më 16 tetor 1971 në Shkup, në një familje aktivistësh dhe veprimtarësh. Në vitin 1979, babai i Donika Gërvallës u detyrua të shpërngulet në Gjermani për shkak të përndjekjes së vazhdueshme nga regjimi jugosllav. Shumë shpejt pas kësaj, e gjithë familja e saj u shpërngul në Gjermani.
Në janar të vitit 1982, Jusuf Gërvalla dhe Bardhosh Gërvalla u vranë në një atentat të organizuar nga shërbimi sekret jugosllav. Nga frika për fëmijët e saj, znj. Suzana Gërvalla, nëna e Donika Gërvallës, së bashku me fëmijët u shpërngul në Tiranë.
Në moshën 16-vjeçare, Donika u regjistrua në shkollën e arteve në Tiranë, ku diplomoi katër vjet më vonë në drejtimin e flautës. Në vitin 1990, Donika Gërvalla ishte pjesë e lëvizjes studentore dhe, në vitin 1991, mori pjesë në grevën e urisë, e cila do të bëhej moment kthese në rrëzimin e sistemit komunist në Shqipëri.
Po ashtu, në vitin 1990, Donika Gërvalla mori pjesë në organizimin e referendumit për pavarësinë e Kosovës. Në fillim të viteve ’90, duke parë situatën gjithnjë e më të rënduar në Kosovë, ajo zhvilloi aktivitetin e saj për pavarësinë e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke krijuar kontakte me zyrtarë të qeverive të huaja dhe duke organizuar protesta masive me deri në 100.000 pjesëmarrës.
Gjatë periudhës së luftës 1998–1999, Donika Gërvalla shërbeu si zëdhënëse e Lidhja Demokratike e Kosovës për mërgatën. Vetëm pas intervenimit të NATO-s dhe çlirimit të Kosovës, Donika Gërvalla mundi të kthehej në vendin e saj pas 19 vitesh.
Pavarësisht ftesave të shumta për pjesëmarrje në zgjedhjet e pasluftës, vetëm në vitin 2021 Donika Gërvalla kandidoi për herë të parë për deputete në Parlamentin e Kosovës, si pjesë e Listës Guxo, të udhëhequr nga tashmë presidentja Vjosa Osmani-Sadriu. Në koalicion me Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministrin Albin Kurti, u arrit një rezultat i paprecedentë prej 50.3%.
Në mars të vitit 2021, Donika Gërvalla u zgjodh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe zëvendëskryeministre, detyra të cilat vazhdon t’i ushtrojë edhe sot.
Që nga data 07.09.2022, ajo është bashkëkryetare e subjektit politik Partia GUXO.