Ilir Poroshtica, i lindur më 22.03.1985 në Gjilan, është fëmija i dytë i Refik Poroshticës dhe të ndjerës Selvije Shkodra-Poroshticës. Ai kreu shkollën fillore në Gjilan, në “Selami Hallaqi”, ku mësuesi i tij ishte Ilmi Ibrahimi. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Zenel Hajdini” me nota të shkëlqyera dhe u zgjodh kryetar klase, kryetar i shkollës, si dhe kryetar i organizatës shkollore “ORSH”, ku hartoi dhe drejtoi shumë projekte në shërbim të shkollave. Studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Prishtinës në drejtimin FNA, Dega e Arkitekturës, ku ishte bursist i fakultetit për 3 vjet radhazi. Gjithashtu, ka përfunduar studimet e nivelit master në Kolegjin Universitar AAB. Që nga klasa e dytë e shkollës fillore, Iliri ka qenë i vetëpunësuar (cigareshitës), duke mbajtur financiarisht veten dhe tërë familjen në kohëra shumë të vështira për të gjithë shqiptarët, veçanërisht gjatë jetës paralele e largimit të dhunshëm nga puna të prindërve, dhe më pas, gjatë studimeve ka punuar në projekte me profesorë të shquar.
Si arkitekt, Iliri ka realizuar disa projekte madhore në Kosovë, si hotel Grandin në Prishtinë, projekte në Shqipëri, Mal të Zi dhe në Gjilan. Në Gjilan shquhet për projektet:
1. Resort Planet
2. Swiss Hospital
3. Detyra projektuese për kampusin universitar “Kadri Zeka” etj.
Që nga fillimi, u bë anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka qenë aktiv në angazhime komunitare pranë zyrave të VV-së në Gjilan. Në vitin 2008, themeloi kompaninë projektuese dhe ndërtuese “SDI SH.P.K.”, e cila angazhon mesatarisht 30 punëtorë. Në vitin 2022, fitoi çmimin e parë në Bienale - Kosovë, me kryeveprën “Restorant Planet” në Gjilan, duke përfshirë elemente tradicionale në arkitekturë. Iliri është anëtar i Rotary Club që nga viti 2016, ku ka shërbyer në pozicione të ndryshme si në thesar, si sekretar dhe president, dhe ka realizuar projekte të shumta në shërbim të komunitetit në Gjilan. Iliri është i martuar me Syzana Kajtazi-Poroshticën - një ekonomiste, dhe janë prindër të dy fëmijëve, Peon dhe Platon. Në Zgjedhjet Lokale 2025, Iliri garon si kandidat për Kryetar të Gjilanit, nga partia Guxo, si partner i koalicionit të deritashëm në nivel qendror me Vetëvendosjen, por jo edhe në nivel lokal në Gjilan e gjetiu. Jeton dhe vepron në Gjilan.